Një 6 vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme në spitalin e Lushnjes. Fëmija ka ardhur nga qendra shëndetësore Divjakë pasi banonte në fshatin Shën e Premte. Fëmija shoqërohej nga gjyshi pasi jetonte me gjyshërit.
Sipas burimeve në spitalin e Lushnjes, fëmija vinte pas një mjekimi disa ditor në fshat sepse ishte duke kaluar një virozë dhe ka arritur në gjendje të rëndë në pediatri. Pasi janë bërë analizat e më pas mjekimet përkatëse dhe duke parë gjendjen e rëndë janë marrë masa për të nisur në Tiranë.
Sapo është zbritur për të hipur në ambulancë, fëmija ka pësuar arrest kardiako-respirator. I mituri ka mbërritur në spitalin e Lushnjes në orën 14.30 dhe ka ndërruar jetë rreth orës 19:00.
Në lidhje me këtë rast, sipas drejtuesve të spitalit të Lushnjes do të dalë me një deklaratë ministria e shëndetësisë.
“Në orën 17:00, fëmija është transportuar për në ambulancë, e pajisur me oksigjen, dhe gjatë udhëtimit ka pësuar të vjella dhe ka humbur ndjenjat. Mjeku pediatër që do ta shoqëronte për në Tiranë ka bërë përpjekje për ta reanimuar duke bërë masazh kardiak. Fëmija është rikthyer në urgjencë në dhomën e shokut, ku ka vazhduar reanimimi nga mjekët gjatë gjithë kohës, por për shkak të gjendjes së rënduar, fëmija ka ndërruar jetë. Vdekja është konstatuar në orën 17:20”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.
Deklarata e plote
Fëmija Aleksandër Rustani, i lindur në vitin 2019, ka mbërritur në Spitalin e Lushnjes në orën 14:20, i shoqëruar nga ambulanca e Divjakës. Ai ka mbërritur në gjendje shumë të rëndë, me saturime 70%, sipas informacionit të dhënë nga familjarët, dhe është asistuar në repartin e pediatrisë nga mjeku i rojes dhe personeli infermier. U janë ofruar ndihmat e nevojshme, është kartelizuar, janë marrë analizat dhe janë marrë përgjigjet e analizave në orën 15:30 dhe 15:45. Pas kësaj, u thirr konsulta me dy mjekë, dhe në orën 16:00 u bë vlerësimi nga konsulta, e cila e diagnozoi me bronkopneumoni bilaterale difuze dhe insuficiencë respiratore akute.
Në orën 17:00, fëmija është transportuar për në ambulancë, e pajisur me oksigjen, dhe gjatë udhëtimit ka pësuar të vjella dhe ka humbur ndjenjat. Mjeku pediatër që do ta shoqëronte për në Tiranë ka bërë përpjekje për ta reanimuar duke bërë masazh kardiak. Fëmija është rikthyer në urgjencë në dhomën e shokut, ku ka vazhduar reanimimi nga mjekët gjatë gjithë kohës, por për shkak të gjendjes së rënduar, fëmija ka ndërruar jetë. Vdekja është konstatuar në orën 17:20.
