Dy avionë të kompanisë ajrore Ryanair, të cilët kishin si destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, janë detyruar të devijojnë uljen në aeroportë të tjerë jashtë Shqipërisë. Sipas burimeve të para, njëri prej avionëve është devijuar në Brindisi, ndërsa tjetri është ulur në Bari.
Arsyet e këtij devijimi nuk janë bërë ende të qarta, ndërkohë që autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare në lidhje me rrethanat që çuan në mospranimin e uljes së këtyre fluturimeve në Tiranë.
Ky zhvillim vjen vetëm një ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, kur shumë shtetas shqiptarë që jetojnë në emigracion janë nisur drejt vendlindjes për të ushtruar të drejtën e votës. Devijimi i fluturimeve ka shkaktuar ankth dhe pasiguri te udhëtarët, shumica prej të cilëve kishin planifikuar të mbërrijnë në Shqipëri në kohë për të votuar.
Në rrjetet sociale janë shpërndarë mesazhe nga pasagjerë që ndodhen në aeroportet italiane, të cilët shprehin zhgënjimin për mungesën e transparencës dhe vonesat në komunikim nga ana e kompanisë dhe autoriteteve.
Pritet që në orët në vijim të ketë sqarime zyrtare mbi shkakun e devijimit – nëse ka qenë një çështje teknike, meteorologjike apo tjetër, ndërkohë që shqetësimet rriten për ndikimin që kjo situatë mund të ketë në pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhje.