Sot, e premte, shënon ditën e fundit të afatit për aplikimet për postin e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Sipas informacioneve të fundit, katër kandidatura janë paraqitur për të marrë drejtimin e këtij institucioni të rëndësishëm të drejtësisë.
Një nga emrat e njohur që ka zyrtarizuar kandidaturën është ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Nano ka një karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë dhe prania e tij në garë e bën procesin e përzgjedhjes edhe më të ndjekur.
Procesi i përzgjedhjes do të vijojë me disa faza testimi për kandidatët. Më pas, një komision i ngritur posaçërisht pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) do të shqyrtojë rezultatet dhe do t’i dërgojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) emrin e kandidatit të përzgjedhur. KLP-ja do të ketë fjalën e fundit për emërimin e kreut të ri të BKH-së. Mandati i drejtuesit të Byrosë është pesë vjet.
Aktualisht, detyrën e kreut të BKH-së e mban Aida Hajnaj, e cila do të vazhdojë të jetë në këtë pozicion deri më 31 gusht të këtij viti.
Komisioni i përzgjedhjes pranë SPAK-ut përbëhet nga figura të njohura të sistemit të drejtësisë: kreu i SPAK-ut Altin Dumani, si dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra. Emri i drejtuesit të ri të BKH-së pritet të bëhet publik pas përfundimit të gjitha fazave të procedurës së përzgjedhjes nga ana e SPAK-ut dhe miratimit nga KLP-ja.