Greqi – Një profesor polak 43-vjeçar, baba i dy fëmijëve, është viktima e ekzekutimit të egër që ndodhi pasditen e djeshme në rrugën Eirinis, në Agia Paraskevi. Mësohet se viktima ishte profesor në një universitet të huaj dhe kishte ardhur në Greqi për të takuar fëmijët e tij.
Si i dyshuar kryesor për këtë vrasje me gjakftohtësi, dyshohet ish-bashkëshorti i partneres së viktimës, i cili po kërkohet intensivisht nga policia për t’u marrë në pyetje dhe për të verifikuar nëse dyshimet ndaj tij janë të bazuara. Policia greke (EL.AS.) arriti në identifikimin e viktimës duke përdorur çelësat që kishte me vete, si dhe disa dëshmi. Viktima nuk ka pasur asnjëherë probleme me autoritetet.
Autori, i cili përshkruhet si i veshur me të zeza, me fytyrë të mbuluar plotësisht, i gjatë dhe me trup të formuar, u largua në këmbë, duke u ngjitur kundër rrjedhës së makinave dhe u kthye majtas në rrugën Giavasi që të çon në sheshin e Agia Paraskevit.
Mendohet se ai e njihte itinerarin e viktimës, të cilin e qëlloi gjashtë herë, me tre plumba që shkaktuan plagë të rënda në qafë, duke rezultuar fatale. Mësohet se motivet e vrasjes ishin personale.
Kronologjia e vrasjes: 43-vjeçari u gjet i vdekur pas të shtënave me armë zjarri pasditen e së premtes (4 korrik) rreth orës 16:15, në rrugën Agias Irinis, në Agia Paraskevi. Sipas dëshmive, autori mbante rroba të zeza dhe një maskë kirurgjikale, ndërsa thuhet se u largua me vrap në drejtim të rrugës Evergetou Giavasi. Krimi i egër ndodhi në një lagje të qetë të Agia Paraskevit, e përbërë kryesisht nga banesa dhe me pak dyqane. Në vendin e ngjarjes, i cili është rrethuar nga forcat e policisë, janë gjetur të paktën pesë gëzhoja. EL.AS menjëherë ka shpallur alarm dhe ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e autorit.