Një ngjarje e rëndë dhe e tronditshme ka ndodhur pasditen e djeshme në zonën e Qytetit Studenti në Tiranë, duke shokuar banorët e kampusit dhe kalimtarët e rastësishëm.
Sipas burimeve për JOQ Albania, bëhet me dije se një shtetas rreth 30 vjeç, i cili nuk rezulton të jetë student i universitetit, është hedhur nga tarraca e godinës nr. 12, në një akt që dyshohet si vetëvrasje.
Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, duke shkaktuar panik dhe alarm mes personave që ndodheshin pranë godinës në momentin e incidentit. Menjëherë pas sinjalizimit nga qytetarë të pranishëm në vendngjarje, një autoambulancë ka mbërritur me urgjencë në “Qytet Studenti”, por fatkeqësisht ekipi mjekësor ka konstatuar se i riu kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga rënia nga lartësia.
Mësohet se viktima nuk kishte me vete asnjë mjet identifikimi, gjë që e ka bërë edhe më të vështirë për momentin procesin e identifikimit të tij nga ana e Policisë së Tiranës. Deri në këto momente, identiteti i 30-vjeçarit mbetet i panjohur.
Gazetarët e JOQ Albania kanë kontaktuar me përfaqësues të Policisë së Tiranës, të cilët kanë konfirmuar ngjarjen, por nuk kanë dhënë ende më shumë detaje mbi rrethanat apo mbi motivet që mund të kenë çuar në këtë akt tragjik.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet:
“Më datë 07.06.2025, në ‘Qytet Studenti’, dyshohet se një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 30 vjeç, është vetëhedhur nga lartësia dhe si pasojë ka ndërruar jetë në spital. Punohet për identifikimin e tij dhe sqarimin e rrethanave të rastit.”
Aktualisht, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon intensivisht për zbardhjen e plotë të rastit. Ndërkohë, pritet edhe këqyrja e kamerave të sigurisë në zonë për të kuptuar më mirë momentet para incidentit dhe për të ndihmuar në procesin e identifikimit të viktimës.
Banorët dhe studentët e kampusit shprehen të tronditur nga ngjarja, e cila ka ndodhur në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës. Ende nuk dihet nëse viktima kishte ndonjë lidhje me ndonjë person që jeton në godinë apo në rrethinat e kampusit.
Hetimet vijojnë dhe më shumë detaje pritet të bëhen të ditura në orët dhe ditët në vijim.