Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në fshatin Pla të Hasit, ku një konflikt për motive pronësie ka përfunduar në tragjedi. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, rreth orës 16:40 është marrë informacion se një person është qëlluar me armë zjarri dhe ka ndërruar jetë.
Viktima është identifikuar si shtetasi Rushit Sallahu, 34 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë nga Ylber Jaku, 41 vjeç, gjatë një debati të ashpër lidhur me çështje pronësie. Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes mbërritën shërbimet e Policisë së Hasit, të mbështetura edhe nga Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Kukës. Viktima u gjet i vrarë në makinë.
Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimeve të koordinuara, autori i dyshuar u kap dhe u vu në pranga në flagrancë. Në vendin e ngjarjes u sekuestrua edhe arma e zjarrit e përdorur gjatë krimit, ndërsa Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave.
Por kjo nuk është e vetmja përplasje që ka ndodhur në të njëjtin fshat. Vetëm një ditë më parë, Policia kishte raportuar për një tjetër incident të dhunshëm, gjithashtu për motive pronësie. Në këtë rast, është arrestuar në flagrancë shtetasja A. S., 21 vjeçe, banuese në fshatin Pla.
Sipas hetimeve paraprake, ajo dyshohet se ka goditur me mjete të forta dy të afërm të saj – shtetasin A. J., 65 vjeç dhe bashkëshorten e tij V. J., 60 vjeçe – duke i shkaktuar atyre dëmtime të konsiderueshme. A. J. është trajtuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshortja e tij vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Përplasjet për tokat dhe pronat duket se janë kthyer në një spirale dhune në këtë zonë, duke kulmuar me ngjarjen tragjike të sotme që i mori jetën një 34-vjeçari. Policia po heton nëse këto dy episode kanë lidhje mes tyre, pasi të përfshirët rezultojnë të jenë të afërm dhe banorë të së njëjtës zonë.
Materialet për të dyja rastet janë referuar në Prokurori, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamiken dhe përgjegjësitë përkatëse të përfshirëve në këto ngjarje që kanë tronditur komunitetin e Hasit.