Skip to content

‘Tronditet’ Berisha pak para zgjedhjeve, largohet nga gara kandidati i Tiranës

Në një deklaratë publike të shpërndarë përmes rrjeteve sociale, kandidati për deputet në Kavajë, Rudin Hylviu, ka bërë të ditur tërheqjen e tij nga gara për zgjedhjet parlamentare. Hylviu njoftoi se pas një reflektimi të gjatë, ka vendosur të tërhiqet në mënyrë që të mbështesë hapur kandidaturën e Loranca Hoxhës.

Në postimin e tij, Hylviu theksoi se ky vendim nuk ka qenë aspak i lehtë, duke marrë parasysh përkushtimin e tij ndaj komunitetit të Kavajës dhe angazhimin politik. Megjithatë, ai argumentoi se prioriteti aktual është bashkimi i votave për të maksimizuar shanset e përfaqësimit të zonës në Parlament, veçanërisht duke përkrahur një kandidate femër që, sipas tij, i përgjigjet më mirë nevojave të sistemit zgjedhor dhe realitetit politik.

“Është një vendim i dhimbshëm në planin personal, por i domosdoshëm në planin politik,” shkruan Hylviu. “Në këto zgjedhje, është thelbësore që Kavaja të ketë një përfaqësim dinjitoz, ndaj kam vendosur të mbështes publikisht zonjën Loranca Hoxha, një figurë që ka treguar seriozitet dhe angazhim për qytetin tonë.”

Ai nënvizoi se edhe pse emri i tij do të mbetet në fletën e votimit për shkak të procedurave zyrtare, i bën thirrje të gjithë mbështetësve dhe qytetarëve që ta drejtojnë votën e tyre për Hoxhën, duke e konsideruar atë alternativën më të mirë për të garantuar një zë të fortë për Kavajën në Kuvendin e Shqipërisë.

“Është koha që, përtej egove dhe interesave personale, të veprojmë me maturi dhe përgjegjësi për të ardhmen e qytetit tonë,” shtoi ai në përfundim të deklaratës.

Ky veprim i Hylviut shihet si një përpjekje për të konsoliduar votat brenda spektrit të djathtë në Kavajë, në një moment kur fragmentimi i votave mund të ndikonte negativisht në rezultatin final.

Published inLajme