Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Krujës mëngjesin e së mërkurës, ku një vajzë e mitur, vetëm 4 vjeçe, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik të ndodhur brenda ambjenteve të biznesit familjar.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, ngjarja ka ndodhur në zonën e Qerekës, ku shtetasi A. S., duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka përplasur aksidentalisht vajzën e tij të vogël. Aksidenti ka ndodhur brenda territorit të biznesit që ai zotëron.
Menjëherë pas ngjarjes, vajza është transportuar me urgjencë drejt spitalit në gjendje të rëndë, por për fat të keq nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në ambientet spitalore.
“Me datë 23.07.2025, në zonën e Qerekës, automjeti me drejtues shtetasin A. S., dyshohet se në ambientet e biznesit të tij, aksidentalisht ka përplasur vajzën e tij të mitur, rreth 4 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në spital”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj tragjedie familjare dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitet, ndërsa familjarët janë në gjendje të rënduar psikologjike.