Ish-kryetari i Lidhjes së Hoxhallarëve dhe teologu Justinian Topulli ka ngritur pretendime të forta në një intervistë për A2 CNN, duke deklaruar se ideja për krijimin e një shteti Bektashi në Shqipëri i ka ardhur Kryeministrit Edi Rama nga Izraeli.
Topulli shprehu dyshime lidhur me marrëdhënien e ngushtë që sipas tij ka Kryegjyshata Botërore e Bektashinjëve me seli në Tiranë me autoritetet zyrtare të Tel Aviv-it gjatë viteve të fundit. Ai theksoi se Izraeli mund të ketë nevojë për një model për t’i treguar botës se nuk ka probleme me komunitetin mysliman, pavarësisht konflikteve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
“Ajo që unë dyshoj dhe kam bindjen më të madhe, duke gjurmuar edhe pak edhe situatën gjeopolitike. Ky nuk është projekti i Ramës. Ky është projekt që i ka ardhur Ramës nga jashtë. Për vetë faktin që ka kohë që punohet për të. Unë dyshoj dhe besoj se një nga ata të interesuarit është Izraeli në mes. Për arsyet pse: ‘Nëse ti shikon marrëdhëniet që ka pasur shteti i Izraelit me Kryegjyshatën e Bektashianëve gjatë gjithë këtyre viteve, është një marrëdhënie e paprecedentë e afrimit me ta”, u shpreh.
“Që të vë në pikëpyetje se çfarë qëndron pas tyre. Kjo e para. E dyta: Izraeli ka një problem në Lindjen e Mesme me myslimanët aty. Gjithmonë atakohet, akuzohet se nuk i do myslimanët dhe i persekuton, i diskriminon, çka edhe shikohet, Nuk ka nevojë të argumentohet. Tani ai kërkon një retorikë pak më ndryshe, për të thënë që unë nuk kam probleme me myslimanët dhe ata nuk kanë problem me mua. Dhe atij i duhet një model, me të cilin të sillet dhe ata të sillen me të. Pra ta pranojnë atë’,” – tha Topulli.