Analisti Ben Andoni, i ftuar në “A2 CNN”, ka lëshuar një paralajmërim të fortë duke sugjeruar që Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë të përgatitura për mundësinë e një lufte me Serbinë. Sipas tij, të gjitha shenjat duket se çojnë drejt këtij konkluzioni shqetësues.
Andoni theksoi se Serbia po e përdor paktin e arritur muajin e kaluar midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë si një pretekst për të çuar përpara agjendën e saj agresive në rajon. Ai shprehu dëshirën që vende të tjera si Bullgaria, e cila sipas tij ka treguar qëndrim të ashpër ndaj Serbisë, të ishin pjesë e një fronti të përbashkët. “Kosova dhe Shqipëria do i gjendeshin njëra-tjetrës për çdo problem.
Madje edhe kur ishte pjesë e Jugosllavisë, disidenca e tyre ka qenë pro shqiptarëve. Do të doja të ishte edhe Bullgaria, sepse është një vend që i ka treguar dhëmbët Serbisë. Uroj që vendet tona ta shikojnë Serbinë ashtu siç është. Serbia ka një ushtri shumë potente”, tha Andoni, duke theksuar superioritetin ushtarak serb.
“Besoj që na presin kohë shumë të vështira dhe deri në momentin që Serbia të pranojë realitetin që Kosova është shtet i pavarur, ne duhet ta llogarisim jo thjesht incidente si Banjska, por edhe gjëra më të përshkallëzuara”, paralajmëroi analisti. Ai shtoi se edhe sulmi terrorist në Banjskë u neutralizua nga forcat e KFOR-it, duke nënkuptuar kufizimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës përballë ushtrisë serbe. “Me gjithë respektin që kam për ata, Forcat e Sigurisë të Kosovës janë shumë të limituara para ushtrisë serbe”, tha Andoni.
Më tej, Andoni shprehu shqetësimin për atë që ai e percepton si një ndryshim në qëndrimin amerikan ndaj rajonit, duke përmendur një “nostalgji” të supozuar për bombardimin e Serbisë nga disa figura amerikane.
“Rreziku jo vetëm është eminent, por gjithmonë e më shumë ata po e tregojnë hapur. E ç’është më e keqja, edhe pala amerikane shpreh një lloj nostalgjie për bombardimin e Serbisë. Më parë me ambasadorin Hill dhe më pas me djalin e Presidentit Trump. Kosova humbi në këto vite një gjë që do të jetë shumë e vështirë ta rikuperojë”, përfundoi analisti Ben Andoni, duke ngritur alarmin për një periudhë të mundshme konflikti në Ballkanin Perëndimor.