Reperi i njohur amerikan Lil Jon ka konfirmuar vdekjen tragjike të djalit të tij 27-vjeçar, Nathan Smith, disa ditë pasi ai ishte raportuar i zhdukur.
Autoritetet presin ende identifikimin zyrtar të trupit nga Zyra e Mjekut Ligjor të Qarkut Fulton, për të konfirmuar nëse i përket trupit të pajetë të gjetur në një liqen pranë banesës së tij.
Nathan Smith ishte zhdukur që prej të martës, më 3 shkurt. Departamenti i Policisë së Milton bëri të ditur se i riu kishte lënë banesën e tij “në rrethana të pazakonta”, çka çoi në nisjen e menjëhershme të një hetimi të gjerë. Pas disa ditësh kërkimesh pa rezultat, autoritetet zgjeruan operacionin në një liqen në Parkun Mayfield.
Menjëherë pas përhapjes së lajmit, Lil Jon reagoi për revistën People, duke shprehur dhimbjen e tij të thellë. “Jam jashtëzakonisht i shkatërruar nga humbja tragjike e djalit tonë, Nathan Smith. Unë dhe nëna e tij jemi të shkatërruar,” deklaroi ai.
“Nathanin e donim me gjithë zemër dhe jemi jashtëzakonisht krenarë për të. Jemi të ngushëlluar nga fakti që në momentet tona të fundit me të, ia shprehëm këtë dashuri,” shtoi Lil Jon, duke falënderuar gjithashtu autoritetet, ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët, ndërsa kërkoi respekt për privatësinë e familjes.

Nathan Smith, i njohur artistikisht si DJ Young Slade ose Slade, kishte publikuar këngën e tij të fundit “Feels” në mars të vitit 2025. Ai kishte marrë pjesë edhe në emisionin e MTV-së “Family Legacy”, ku kishte folur hapur për marrëdhënien me të atin dhe rrugën e tij në muzikë. Lil Jon, emri i vërtetë i të cilit është Jonathan Smith, e pati Nathanin me ish-bashkëshorten e tij, Nicole Smith. Çifti ishte martuar në vitin 2004 dhe kishte njoftuar ndarjen në shkurt të vitit 2024.
