Një krim makabër ka tronditur opinionin publik turk, duke u kthyer në një nga rastet më të komentuara të vitit. Ayşe Tokyaz, 22 vjeçe, studente infermierie nga Hatay, u raportua e zhdukur në Stamboll… vetëm për t’u gjetur disa ditë më vonë e copëtuar dhe futur në një valixhe, pranë rrugës në lagjen Küçükçekmece. Detajet janë aq të rënda, sa të lënë pa frymë.
Mediat turke kanë zbuluar se i dyshuari kryesor është ish-i dashuri i saj, Cemil Koç, një ish-oficer policie me të kaluar të errët. Ayşe kishte shkuar për një vizitë në shtëpinë e tij natën e 10 korrikut… dhe nuk doli më kurrë gjallë.
Trupi i saj u gjet tri ditë më vonë, i fshehur në një valixhe. Sipas ekspertizës, ajo ishte vrarë brutalisht dhe me gjasë, në mënyrë të planifikuar. Cemil Koç është arrestuar bashkë me gjithsej shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në fshehjen e krimit.
Por mbrojtja e tij ka shokuar edhe më shumë publikun: “Ajo ra nga shkallët… dhe vdiq.” Një justifikim që mediat e kanë quajtur të neveritshëm dhe të stërpërdorur, sidomos kur kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e rrëzojnë këtë version.
Esra Tokyaz, motra binjake e Ayşes, ka dëshmuar se kishin raportuar më parë për kërcënime dhe dhunë psikologjike nga ana e Cemilit, por askush nuk e mori seriozisht. Ky detaj po hap debate të forta për mosreagimin e institucioneve, të cilat, si shumë herë më parë, nuk ndërhynë derisa ishte shumë vonë.
