Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Massafra të Italisë, në provincën e Tarantos, ku një vajzë 14-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën pasi është hedhur nga kati i tretë i banesës ku jetonte me prindërit. Sipas burimeve të Newsbomb.al, familja e saj është me origjinë nga fshati Dukat i Vlorës.
Adoleshentja u dërgua me urgjencë në spitalin “Santissima Annunziata” në Taranto ende me shenja jete, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, ajo ndërroi jetë pak minuta pas mbërritjes.
Familja Bozhanaj është në gjendje shoku nga humbja e parakohshme e vajzës së tyre. Sipas raportimeve të para të mediave italiane, një nga pistat kryesore të hetimit është bullizmi. Dyshohet se vajza mund të ketë qenë viktimë e presioneve dhe tronditjes së thellë psikologjike, çka mund ta ketë shtyrë drejt këtij akti ekstrem.
Në momentin e ngjarjes, nëna e saj ndodhej në shtëpi dhe, sipas dëshmisë së dhënë për hetuesit, ajo ka parë me sytë e saj momentin kur vajza hapi dritaren dhe u hodh në boshllëk nga kati i tretë.
Prokuroria italiane ka urdhëruar nisjen e një hetimi për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e ngjarjes. Dosja i është besuar karabinierëve të zonës, të cilët janë duke rindërtuar me kujdes çdo moment të incidentit fatal dhe po verifikojnë çdo detaj që mund të ndihmojë në sqarimin e rrethanave të vdekjes tragjike të vajzës 14-vjeçare.
Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur jo vetëm komunitetin lokal në Itali, por edhe shqiptarët e diasporës, që kërkojnë zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe ndërhyrje më të forta për të luftuar fenomenin e bullizmit në shkolla.