Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Maliqit këtë të diel, duke marrë jetën e një nëne dhe djalit të saj 14-vjeçar, ndërsa vajza e vogël e familjes po lufton për jetën në spital. Tragjedia ndodhi në banesën e familjes Hazisllari, ku flakët shpërthyen papritur dhe për pak minuta përfshinë të gjithë shtëpinë.
Viktimat janë identifikuar si Merjeme Hazisllari dhe djali i saj Luka Hazisllari, 14 vjeç. Ndërkohë, vajza 6-vjeçare e familjes, Nefeli Hazisllari, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në repartin e djegie-plastikës në QSUT, në Tiranë.
Në një rrëfim prekës për mediat, xhaxhai i vajzës ka treguar se e mitura ka arritur të dalë vetë nga banesa e përfshirë nga flakët, duke u shpëtuar për mrekulli. Ai rrëfeu se ndihma e parë i është dhënë nga fqinjët, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë për ta nxjerrë jashtë dhe për të njoftuar ambulancën.
“Nefeli ka dalë vetë nga shtëpia, e mbuluar me djegie. Fqinjët kanë vrapuar menjëherë, i kanë dhënë ujë dhe kanë njoftuar ambulancën. Djali dhe nëna nuk kanë mundur të dalin. Flakët i kanë përfshirë brenda”, – tha i afërmi, i tronditur nga ngjarja.
E mitura ka pësuar djegie të rënda në disa pjesë të trupit dhe po i nënshtrohet trajtimit intensiv nga mjekët specialistë në Tiranë, ndërsa gjendja e saj mbetet kritike.
Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga një sobë me dru, e cila përdorej për ngrohje në banesë. Për shkak të materialeve të djegshme në dhomë, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke mos i dhënë familjarëve mundësinë të shpëtonin në kohë.
Forcat zjarrfikëse dhe grupi hetimor mbërritën në vendngjarje për të shuar flakët dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të tragjedisë, që ka tronditur thellë komunitetin e Maliqit, ku familja Hazisllari njihej për thjeshtësinë dhe karakterin e saj punëtor.
Qytetarë të shumtë janë mbledhur pranë banesës për t’u shprehur ngushëllimet familjarëve, ndërsa në Maliq ka mbizotëruar një atmosferë zie pas kësaj ngjarjeje të tmerrshme.
