Është gjetur më në fund pjesa tjetër e trupit të Ardit Beshirit, 29-vjeçarit që humbi jetën në mënyrë tragjike më 3 maj, kur një masiv mineral u shemb në zonën e “Qafës së Burrelit”, pranë fabrikës së përpunimit të kromit në bashkinë Klos.
Zbulimi i mbetjeve të trupit të tij është bërë pikërisht në vendin e katastrofës, aty ku u çan rezervuari i ujit pas shembjes së masivit dhe përmbyti zonën, duke marrë përpara mjetin eskavator me të cilin Arditi po punonte.
Për gjetjen e trupit u deshën plot 10 ditë kërkime intensive, të cilat përfshinë jo vetëm strukturat shqiptare të emergjencës, por edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, që u bashkuan në operacion për të ndihmuar në lokalizimin e viktimës.
Tre ditë më parë u raportua se ishte gjetur një pjesë e trupit, çka ringjalli shpresën për përmbylljen e kërkimeve. Sot, me gjetjen e pjesës së mbetur, autoritetet konfirmuan identifikimin e plotë të viktimës dhe mbylljen e operacionit të kërkimit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30 të ditës së premte, në një zonë me aktivitet të lartë mineral, ku kushtet e sigurisë kanë qenë shpeshherë të diskutueshme. Sipas raportimeve, Beshiri ishte duke punuar me fadromë në momentin kur ndodhi rrëshqitja fatale e masës minerale, që çoi në çarjen e rezervuarit të ujit dhe krijimin e një rrjedhe të fuqishme që përpiu mjetin dhe vetë punëtorin.
Tragjedia e Ardit Beshirit ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë në punë në industrinë minerare shqiptare, një sektor me risk të lartë ku shpesh raportohen aksidente me pasoja të rënda për jetën e punëtorëve.
Familjarët e viktimës dhe opinioni publik kërkojnë tashmë përgjegjësi institucionale dhe një hetim të thelluar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, si dhe për të nxjerrë para drejtësisë çdo person apo institucion që ka neglizhuar masat e sigurisë.