Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një të riu dhe plagosjen e një tjetri ka ndodhur mesditën e sotme, rreth orës 13:35, në aksin nacional Vlorë–Fier, në afërsi të një karburanti pranë zonës së njohur si Pusi i Mezinit.
Sipas të dhënave paraprake, një motomjet tip Piaggio, me targa AK653, ka dalë nga rruga pasi dyshohet se ka humbur kontrollin për shkaqe ende të paqarta. Mjeti është përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike dhe më pas me një shtyllë druri, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe pasoja fatale për pasagjerët.
Në motomjet ndodheshin dy persona të rinj. Luan Llanaj, 19 vjeç, u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda dhe ndërroi jetë pak pas mbërritjes. Shoku i tij, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik, ndodhet në gjendje kritike për jetën, nën vëzhgimin e stafit mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për të zbardhur dinamikën dhe shkaqet e aksidentit. Për momentin, nuk dihet nëse shkak ka qenë shpejtësia, ndonjë defekt teknik, apo ndonjë faktor tjetër i jashtëm.
Ky është një tjetër aksident që i shtohet bilancit tragjik të ngjarjeve rrugore në vend, ndërsa autoritetet u bëjnë apel qytetarëve për kujdes të shtuar në qarkullim, sidomos në zonat me trafik të dendur dhe infrastrukturë të ndjeshme.
Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe shërim të shpejtë për të plagosurin. Hetimet vijojnë.