Skip to content

Tragjedi ne Shqiperi, një viktimë dhe 8 te djegur rende nga flaket, ne rrezik shtate fshatra dhe qindra banore

Disa fshatra të Gramshit janë zhytur në një skenar apokaliptik, ku tymi i zi dhe flakët që ngjiten deri në disa metra kanë mbuluar gjithçka. Situata është jashtëzakonisht e rëndë dhe në disa zona tashmë ka marrë jetë njerëzish.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se po vijon evakuimi i banorëve në fshatrat Kullollas, Bletëz, Menkollar, Shimër, Skënderbegas, Spanesh dhe Kazie, duke u bërë thirrje të gjithëve të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të braktisin banesat për të shpëtuar jetën. Sipas raportimit nga terreni të gazetares së Top Channel, Bruna Kërçyku, fshatrat Kullollas, Bletëz, Menkollar dhe Shimër tashmë janë shkrumbuar nga flakët, ndërsa evakuimi i tyre ka ndodhur disa orë më parë.

Tragjedia ka goditur rëndë Kullollasin, ku një i moshuar rreth 80 vjeç humbi jetën. Fillimisht dyshohej se ai ishte përfshirë nga flakët e zjarrit që ndezi në kopshtin e shtëpisë, por hetimet e para tregojnë një skenar më të errët: burime për gazetarin e Vizion Plus, Esido Barkaj, thonë se gjithçka nisi nga një konflikt i ashpër mes të moshuarit dhe fqinjit të tij. Nga inati, 80-vjeçari i vuri zjarrin parcelës së komshiut, por nuk mori parasysh pasojat. Flakët, të ndihmuara nga era dhe thatësira, u përhapën me shpejtësi duke përfshirë një zonë të tërë dhe duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë. I moshuari vetë mbeti i bllokuar dhe u asfiksua fatalisht.

Në bilancin tragjik përfshihet edhe djegia e teqesë së Shemberdhenjes, një objekt i rëndësishëm fetar e kulturor për komunitetin lokal. Ndërkohë, fatkeqësia nuk ndalet këtu: një person raportohet i zhdukur, pasi ka mbetur i bllokuar brenda ndërtesës së tij.

Në fshatin Bulçar, situata është po aq e rrezikshme. Një grua është izoluar në fermën e saj bashkë me dy fëmijë të mitur dhe ka bërë thirrje urgjente për ndihmë, ndërsa forcat e emergjencave po përpiqen të hapin rrugën drejt tyre.

Ndërhyrja e zjarrfikësve, ambulancave dhe forcave të tjera të emergjencës është jashtëzakonisht e vështirë për shkak të terrenit të thyer, tymit të dendur dhe flakëve që përhapen me shpejtësi duke rrezikuar edhe vetë ekipet e shpëtimit. Në vendngjarje ndodhen forca të shumta të zjarrfikëses, emergjencave civile dhe ushtrisë, të cilat po luftojnë prej orësh për të ndalur avancimin e zjarrit që tashmë i është afruar rrezikshëm banesave.

Autoritetet qendrore dhe lokale vijojnë me apel të përsëritur: banorët duhet të largohen menjëherë nga shtëpitë. Mesazhi është i qartë – çdo vonesë mund të kthehet në një humbje tjetër jete.

Në këto momente, Gramshi po përjeton një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit, një kombinim fatal i pakujdesisë njerëzore, konfliktit mes fqinjëve dhe kushteve ekstreme të motit që kanë shndërruar disa fshatra në hi e shkatërrim.

Published inShowbizz