Një dhimbje e madhe ka goditur reperin shqiptar Marin dhe familjen e tij. Artisti ka njoftuar përmes një postimi prekës në rrjetet sociale se djali i tij i porsalindur ka ndërruar jetë të mërkurën në mëngjes.
“Ëndërruam engjëj, por patëm nderin të mbanim një në krahë”
Në mesazhin e tij, Marin shprehet se ky lajm i gëzueshëm u kthye në një tragjedi të trishtë, duke shënuar një kthesë të dhimbshme për familjen e tij. “Disa njerëz vetëm ëndërrojnë engjëj, por ne patëm nderin të mbanim një në krahët tanë,” shkruan ai, duke ndarë pikëllimin dhe tronditjen që po përjetojnë ai dhe partnerja e tij, Alba.
Ai theksoi se këto ditë kanë qenë jashtëzakonisht të vështira, por po përpiqen të gjejnë forcë te dashuria e ndërsjellë dhe mbështetja e miqve e familjarëve. Marin, i cili ka tri vajza të tjera, Milana, Melody dhe Marina, e mbylli mesazhin e tij duke i bërë një dedikim bashkëshortes, të cilën e quajti “gruaja më e mirë dhe njeriu më i fortë që ka ekzistuar ndonjëherë.”
