Një avion i vogël me motor të vetëm u rrëzua paraditen e së shtunës pranë qytetit Sparta, Tennessee, duke lënë të vdekur të tre personat që ndodheshin në bord, konfirmuan zyrtarët.
Avioni i tipit Mooney M20TN u rrëzua në jug të Aeroportit Rajonal Upper Cumberland rreth orës 11:50 të paradites, sipas një deklarate nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA).
Drejtori i aeroportit, Dean Selby, tha se në aeroport nisën të vinin raportime nga qytetarët për një avion të mundshëm të rrëzuar. Menjëherë më pas, Qendra e Kontrollit Ajror të Memfisit kontaktoi aeroportin, duke konfirmuar se kishin humbur komunikimin dhe sinjalin radarik me një avion që po afrohej për ulje.
Selby konfirmoi se avioni ishte nisur nga Alabama dhe ishte në fazën përfundimtare të uljes kur u rrëzua, për arsye që ende nuk janë bërë të qarta.
Operacion kërkimi në terren të vështirë
Menjëherë pas raportimeve, ekipet e emergjencës, zjarrfikësit, si dhe vullnetarë nga komuniteti u angazhuan në kërkim për vendndodhjen e avionit. Për shkak të terrenit të vështirë dhe zonës së largët ku ndodhi aksidenti, aeroporti dërgoi një avion tjetër për të ndihmuar kërkimet nga ajri.
Avioni i rrëzuar u gjet në një zonë të izoluar dhe të vështirë për tu arritur.
Hetimi federal i nisur
Autoritetet nga FAA mbërritën në vendngjarje disa orë pas rrëzimit për të kryer ekzaminimet paraprake. Ndërkohë, Byroja Kombëtare e Hetimeve të Aksidenteve në Transport (NTSB) pritet të mbërrijë në vendngjarje të dielën dhe do të marrë drejtimin e hetimeve për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.
Selby deklaroi se identitetet e viktimave nuk do të bëhen publike deri në njoftimin e familjarëve të tyre.
Sparta ndodhet rreth 155 kilometra në juglindje të Nashville.
Valë aksidentesh fatale me avionë të vegjël në SHBA
Ky aksident shtohet në një seri tragjedish të ngjashme me avionë të vegjël në Shtetet e Bashkuara javët e fundit.
Muajin e kaluar, një avion i vogël u përplas në një shtëpi në Brooklyn Park, Minnesota, duke shkaktuar viktima. Dy javë më vonë, një tjetër avion u rrëzua në pjesën veriore të shtetit të New York-ut.
Në fundjavën e kaluar, tre persona humbën jetën pasi një avion ra në një lumë në Nebraska, ndërsa katër të tjerë vdiqën kur një avion me motor të vetëm u rrëzua në Illinois.
Këto aksidente kanë rikthyer shqetësimet për sigurinë e avionëve të vegjël dhe vështirësitë që përballen pilotët, sidomos gjatë fazave të uljes, të cilat janë statistkisht më të rrezikshmet gjatë një fluturimi.
FAA dhe NTSB pritet të publikojnë një raport paraprak mbi këtë aksident në ditët në vijim, megjithëse përfundimi i hetimeve të plota mund të zgjasë disa muaj.
