Skip to content

Tragjedi, Foshnja e sapolindur vdes pasi u rrëzua nga një djalë 6-vjeçar

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në një maternitet në Francë, ku një foshnje e lindur para kohe ka humbur jetën pasi dyshohet se është rrëzuar nga një djalë 6-vjeçar që lëvizte i pa mbikëqyrur në repartin neonatal.

Foshnja, e quajtur Zayneb‑Cassandra, ishte vetëm pesë ditëshe kur u gjet në dysheme pa pelena dhe me gjak. Ajo kishte marrë dëmtime të rënda në kokë, dhe mjekët nuk mundën ta shpëtonin. Autopsia tregoi trauma të rënda truri si pasojë e një goditjeje të fortë.

Hetimet zbuluan se një djalë gjashtëvjeçar, fëmijë i një pacienteje tjetër në spitalin Jeanne-de-Flandre në Lille, ishte parë duke qëndruar pranë foshnjës. Ai dyshohet se e mori foshnjën nga krevati dhe e trajtoi si “kukull”, duke e kapur nga pelena, çka mund të ketë shkaktuar rënien fatale.

Prindërit e foshnjës kërkojnë llogari nga spitali dhe akuzojnë mungesën e sigurisë dhe vëmendjes nga stafi mjekësor. Ata shprehen të shkatërruar nga dhimbja dhe kërkojnë që drejtësia të vihet në vend.

Spitali ka nisur një hetim të brendshëm ndërkohë që prokuroria po zhvillon hetime penale për të përcaktuar saktësisht se si ndodhi tragjedia. Pas ngjarjes, spitali ka vendosur rregulla më të rrepta për hyrjen në repartet e kujdesit neonatal.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Francë dhe ka ngritur shqetësime serioze mbi mbikëqyrjen në ambientet spitalore, veçanërisht aty ku trajtohen foshnje të sapolindura.

Published inShowbizz