Një ngjarje tragjike ka tronditur thellësisht komunitetin e Apenineve në Modena, Itali, ku një familje e njohur humbi dy anëtarë brenda pak orësh.
Fabio Marchioni, 36 vjeç, djali i pronarëve të një hoteli të njohur në zonë, humbi jetën në mënyrë tragjike në lumin Dardagna. Trupi i tij u gjet pasditen e së martës, pasi ishte zhytur në ujë dhe kishte pësuar një goditje fatale në kokë, që besohet se i shkaktoi humbjen e ndjenjave dhe më pas mbytjen.
Hetimet paraprake përjashtuan përfshirjen e personave të tjerë, duke e cilësuar si një aksident, megjithëse nuk përjashtohet tërësisht mundësia e një akti të qëllimshëm.
Vetëm pak orë pas këtij lajmi të rëndë, ndodhi edhe një tragjedi tjetër: babai i Fabio-s, Aurelio Marchioni, u gjet i pajetë nën urën Leo në Fanano. Dyshohet se ai nuk mundi të përballonte dhimbjen e humbjes së të birit dhe i dha fund jetës.
Kjo nuk është goditja e parë për familjen Marchioni. Sipas mediave italiane, ata kishin përjetuar një tjetër tragjedi disa vite më parë, kur kishin humbur vajzën në një aksident.
Tani, me vdekjen e Fabio-s dhe më pas të Aurelio-s, kjo familje ka përjetuar një dramë që ka lënë të shtangur gjithë zonën.

