Skip to content

Tornado fluturon çadrat dhe shezlonet në plazh – VIDEO

Pushuesit italianë përjetuan momente tmerri pasditen e së dielës në plazhin e Macarese, në rajonin e Lacios, kur një tornado ngriti çadrat në ajër, duke shkaktuar panik.

Sipas dëshmitarëve, moti u përkeqësua papritur dhe një erë e fortë përfshiu plazhin, duke hedhur në ajër çadra dhe shezlongje. Pushuesit filluan të vraponin për t’u mbrojtur, ndërsa stafi i plazhit u përpoq të rivendoste rendin. Një punonjës i zonës tha se fenomeni zgjati vetëm disa minuta, por paniku ishte i madh. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua.

Autoritetet lokale theksuan se ky është një fenomen i rrallë për stinën dhe rajonin, i cili lidhet me paqëndrueshmërinë intensive të motit në ditët e fundit në Italinë qendrore.

Parashikimi i motit për Shqipërinë

Sipas meteorologut Hakil Osmani nga Meteoalb, fillimi i javës do të jetë nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm, ku nuk do të mungojnë reshjet e shiut.

Sot dhe nesër (e martë): Priten vranësira të shpeshta dhe rritje e lagështirës në ajër. Do të ketë reshje shiu, herë pas here në formë rrebeshesh. Reshjet më të dukshme do të jenë në gjysmën e territorit shqiptar, sidomos në zonat juglindore dhe jugore. Edhe qytetet e zonave të ulëta, përfshirë kryeqytetin, mund të preken nga shira afatshkurtër.

Nga e mërkura e në vazhdim: Moti do të përmirësohet ndjeshëm dhe do të jetë i qëndrueshëm, me diell dhe temperatura më të larta.

Temperaturat maksimale do të arrijnë në 30 gradë Celsius, ndërsa ato minimale në 14 gradë Celsius. Era do të fryjë e lehtë me drejtim kryesor juglindje-veriperëndim.

Published inLajme