Katër ditë më parë, deputetja e PD-së Jozefina Topalli, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, shkroi se shqiptarët po jetojnë me frikën e bukës së gojës. “Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, familja shqiptare jeton në një pabarazi të thellë që ndihet çdo ditë në jetën reale, jo në statistika.
Në shumicën e vendeve të BE-së, paga dhe pensioni janë të lidhura me koston e jetesës. Kur rriten çmimet, ndërhyhet me indeksim pagash, ndihmë direkte për familjet, subvencione për energjinë dhe ushqimet bazë. Familja europiane mund të ketë vështirësi, por rrallëherë jeton me frikën e dritave, ilaçeve apo bukës së nesërme“, thotë Topalli.
‘Të qarët’ e zonjës Topalli për varfërinë dhe hallet e shqiptarëve vjen disa muaj pas dasmës luksoze të djalit të saj në Vila Miani, një kështjellë nga ku shihet gjithë Roma, ku vetëm ceremonia ka kushtuar mbi 500 mijë euro.

Edhe pse dukej sikur dasma ishte private, fakti që ishin ftuar personazhe të show bizz tregon se organizatorët e dasmës kanë qenë të interesuar për bërjen e saj publike, duke ekspozuar kështu edhe luksin e Familjes Topalli.

Deputetja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli, e cila mbuloi Diasporën në zgjedhjet e 11 majit, posedon një pasuri me vlerë miliona euro. Në deklaratën e plotë të pasurisë, plotësuar dhe dorëzuar në ILDKPKI pas marrjes së madatit si deputete, zonja Topalli deklaron të paktën 34 pasuri të paluajtshme në emrin e saj, bashkëshortit, djalit dhe vajzës.
Bëhet fjalë për disa vila me vlerë miliona euro, apartamente, njësi ndërtimore, troje, ara dhe kullota.
Si burim të ardhurash për të justifikuar pasurinë përrallore deklarohen të ardhurat nga paga, kredi bankare, të ardhura nga qiratë dhe akte trashëgimnie. Megjithatë, familja Topalli nuk posedon biznese dhe duket gati e pamundur që një pasuri e tillë të justifikohet me të ardhura kryesisht nga rrogat.
