Qeveria ka vënë në zbatim udhëzimin për “Paketën e Maleve”, duke i hapur rrugën kalimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme shtetërore në zonat malore, në favor të individëve që kanë dëshmuar posedim faktik për një kohë të gjatë ose kanë plane zhvillimi.
Qëllimi kryesor i këtij ligji, i cili ka hyrë në fuqi në qershor, është tërheqja e investimeve për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, nxitjen e punësimit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në zonat me përparësi zhvillimi.
Kush Përfiton Dhe Si Kalon Pronësia Për 1 Euro?
Ligji parashikon shitjen e pronësisë së këtyre pasurive shtetërore me një tarifë simbolike prej 1 euro për metër katror, për individët që plotësojnë kriteret e “poseduesit jopronar”.
Posedues Jopronar Quhet:
- Individi me Posedim të Vazhdueshëm: Çdo individ që ushtron posedim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë për të paktën 10 vjet mbi pasurinë e paluajtshme shtetërore, duke e përdorur atë si pronari i saj.
- Lehtësimi i Provës: Edhe mungesa e dokumentacionit nuk e pengon procedurën; deklarimi i subjektit merret i mirëqenë nëse nuk paraqiten prova nga të tretët gjatë afishimit publik.
- Personi që Kërkon të Zhvillojë Investim: Edhe personat fizikë që nuk e përdorin pasurinë aktualisht, por vërtetojnë lidhjen e tyre me pasurinë dhe kërkojnë ta zhvillojnë atë nëpërmjet një investimi të ri.
Procedura e Kalimit të Pronësisë
Me hyrjen në fuqi të udhëzimit që përcakton zonat prioritare, procedurat zyrtare janë si më poshtë:
- Kërkesa dhe Dokumentacioni: Subjektet paraqesin kërkesën për njohjen si posedues jopronarë pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore, të shoqëruar me një plan rilevimi nga gjeodet i licencuar.
- Verifikimi: Institucionet vendore verifikojnë dhe miratojnë (apo refuzojnë) kërkesën.
- Leja e Zhvillimit: Në rast miratimi, procedura kalon në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) për marrjen e lejes së zhvillimit të investimit.
- Kontrata e Shitjes: Në fund, bëhet kërkesa për blerje pranë ministrisë përgjegjëse dhe nënshkruhet kontrata e shitjes.
Incentivat Maksimale Për Përfituesit
Subjektet që përfitojnë pronësinë dhe realizojnë projektin e deklaruar përfitojnë një sërë lehtësish për një periudhë 10-vjeçare:
- Përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
- Përjashtim nga taksa e pasurive të paluajtshme.
- Përjashtim nga TVSH-ja.
- Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat.
Për më tepër, këta investitorë do të kenë përparësi në përfitimin e granteve, veçanërisht ato që lidhen me projekte agroturistike dhe përpunuese.