Një udhëtim rutinë ajror në Belize u shndërrua në një skenë horror kur një burrë rrëmbeu një avion të vogël dhe plagosi me thikë dy pasagjerë dhe pilotin, përpara se të qëllohej për vdekje nga një prej viktimave që po mbrohej me armë.
Ngjarja e rëndë ndodhi të martën në një avion të kompanisë Tropic Air, me 14 pasagjerë dhe 2 anëtarë ekuipazhi në bord, që udhëtonte nga Corozal drejt destinacionit turistik San Pedro. Sipas autoriteteve, rrëmbyesi – i identifikuar si Akinyela Taylor – tentoi ta devijonte fluturimin duke kërkuar që avioni të drejtohej drejt Shteteve të Bashkuara.
Pasi aeroplani filloi të lëvizte në mënyrë të çrregullt për afro dy orë, u përfshi në një ndjekje dramatike nga një helikopter policor dhe u detyrua të bëjë një ulje emergjente në aeroportin e qytetit bregdetar Ladyville.
Incidenti nisi rreth orës 08:30 të mëngjesit (ora lokale), duke detyruar autoritetet të shpallin gjendje emergjente në aeroport.
“Përballë një situate të jashtëzakonshme, piloti ynë tregoi guxim dhe profesionalizëm të rrallë,” deklaroi drejtori ekzekutiv i Tropic Air, Maximillian Greif, duke e quajtur reagimin e pilotit “heroik”.
Por akti më tronditës ndodhi brenda avionit: një nga pasagjerët e plagosur, i cili posedonte leje për mbajtjen e armës, arriti të qëllojë dhe të neutralizojë rrëmbyesin duke shpëtuar të tjerët. Ky pasagjer – i cili u plagos rëndë në shpinë dhe mushkëri gjatë përleshjes – ndodhet në gjendje kritike në spital.
“Ne po lutemi për të. Ai është heroi ynë,” u shpreh Komisioneri i Policisë së Belize, Chester Williams.
Dy pasagjerë të tjerë dhe piloti janë gjithashtu nën trajtim mjekësor, por jashtë rrezikut për jetën.
Motivi i sulmuesit mbetet ende mister. Disa burime amerikane spekulojnë se Taylor mund të ketë qenë një veteran i forcave të armatosura amerikane, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ambasada e SHBA në Belize është përfshirë në hetime dhe po bashkëpunon me autoritetet vendase për të zbardhur të vërtetën pas këtij akti të dhunshëm.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Belize dhe më gjerë, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë e sigurisë ajrore dhe sfidat që paraqet menaxhimi i situatave të rrezikshme në fluturim.
