Një tragjedi e rëndë ka goditur rajonin e Darfurit në Sudanin Perëndimor, ku një rrëshqitje masive dheu ka shkatërruar plotësisht një fshat. Sipas Lëvizjes/Ushtrisë Çlirimtare të Sudanit (SLM/A), grupi që kontrollon zonën, të paktën 1000 persona kanë humbur jetën, me vetëm një person të mbijetuar.
Thirrje për ndihmë ndërkombëtare
Ngjarja ndodhi të dielën pas disa ditëve me shira të rrëmbyeshëm. SLM/A i ka bërë një thirrje urgjente Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera humanitare ndërkombëtare për ndihmë në gjetjen e trupave të viktimave, mes të cilave ka edhe fëmijë.
Kjo katastrofë natyrore i shtohet krizës humanitare që Sudani po përjeton prej tre vitesh, për shkak të luftës civile brutale midis forcave të armatosura dhe grupit paramilitar Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF). Shumë sudanezë që i ikën luftimeve në Darfurin Verior ishin strehuar në zonat malore, duke kërkuar siguri, por tani përballen me një tjetër tragjedi.
OKB-ja e ka cilësuar këtë si një nga krizat më të rënda në botë, me mbi 150 mijë persona të vrarë nga lufta dhe më shumë se 14 mijë të zhvendosur. Operacionet e ndihmës mbeten të vështira për shkak të luftimeve të vazhdueshme.