Një tjetër humbje jete dyshohet se është regjistruar në qarkun e Elbasanit, duke e rënduar më tej bilancin tragjik të zjarreve që prej ditësh kanë përfshirë vendin. Pas rastit të 80-vjeçarit që humbi jetën një ditë më parë në fshatin Kullollas, pasi ndezi zjarr në oborrin e banesës dhe flakët iu përhapën në terren duke rrezikuar banorët dhe pronat përreth, burime të A2 CNN raportojnë se një person tjetër dyshohet të ketë ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë nga tymi i zjarrit.
Përveç viktimave, raportohet edhe për shumë të tjerë që janë asfiksuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore. Situata në terren paraqitet dramatike: dhjetëra banesa janë shkrumbuar plotësisht, duke i lënë familjet pa strehë, ndërsa disa fshatra, mes tyre Kullollas, Bletëz, Skënderbegas, Menkollare, Zenelas dhe Harunas, janë përfshirë tërësisht nga flakët dhe janë djegur pothuajse në çdo cep.
Pamjet që vijnë nga zonat e prekura tregojnë shtëpi të rrafshuara nga zjarri, mure të nxirë e të rrëzuar, oborre të kthyer në hi dhe banorë të dëshpëruar që shohin se si mundi i një jete zhduket brenda pak minutash. Dëshmitarët flasin për një situatë të pakontrollueshme, ku erërat e forta dhe thatësira kanë bërë që flakët të përhapen me shpejtësi marramendëse, duke e bërë thuajse të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikësve në disa segmente.
Sipas shifrave të raportuara deri në mbrëmjen e djeshme, në mbarë territorin e vendit ishin regjistruar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 7 të tjera janë nën monitorim të vazhdueshëm. Autoritetet shprehen se situata më problematike vijon të mbetet në jug të vendit, ku rreziku është i lartë për zonat e mbrojtura, banesat dhe infrastrukturën publike.
Emergjencat Civile dhe Forcat e Armatosura kanë shtuar prezencën në terren, por ndërhyrja shpesh pengohet nga terreni i thyer malor dhe përhapja e shpejtë e flakëve. Ministria e Mbrojtjes dhe autoritetet vendore vijojnë të bëjnë thirrje të përsëritura për evakuim të menjëhershëm në zonat e rrezikuara, në mënyrë që të shmangen humbje të tjera jetësh.
Kjo valë zjarresh ka nxjerrë në pah jo vetëm vështirësitë e menaxhimit të emergjencave në terren, por edhe nevojën urgjente për masa parandaluese më efektive, ndërsa bilanci i dëmeve njerëzore e materiale po rritet nga ora në orë.