Pesëmbëdhjetëvjeçari i cili u plagos me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në Tiranë, është qëlluar nga xhaxhai. Ky është konkluzioni paraprak i grupit hetimor që ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes.
Ngjarja ndodhi në oborrin e përbashkët të banesave të vëllezërve Pëllumbi në Fushë Mëzez. Sipas policisë, në vazhdën e një konflikti “për motive të dobëta”, një prej vëllezërve – 29-vjeçari Nazmi Pëllumbi qëlloi me armë zjarri drejt binjakut. Plumbat prekën nipin 15-vjeçar, i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet në spital ku po merr ndihmë mjekësore.
Ndërkaq, u vu në pranga vëllai i autorit dhe babai i të plagosurit, Florant Pëllumbi, pasi gjatë kontrolleve në banesën e tij u gjet një sasi e vogël kokaine.
Akuzat
Nazmi Pëllumbi, 29 vjeç, u shpall në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Florant Pëllumbi, 29 vjeç, u arrestua për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi kokaine, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
