Skip to content

“‘Ti nuk je vr*sës, Elvis, por…!’ – letra e dhimbshme e shokut të gjimnazit per vrasesin e gjyqtarit që po bën xhiron e rrjetit (FOTO)

Një letër prekëse e shkruar nga një ish-shok gjimnazi i Elvis Shkambit, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Tiranë, po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, duke ngjallur debate, emocione dhe reflektim të thellë mbi drejtësinë shqiptare dhe plagët e saj të vjetra.

Letra, e nënshkruar nga një ish-nxënës i gjimnazit “At Pjetër Meshkalla” në Shkodër, nuk është një justifikim për krimin, por një akt dëshmie për vuajtjen e një brezi të thyer nga padrejtësia.

Autori e nis me fjalët që tashmë janë bërë simbolike:

Ti nuk je vrasës, Elvis. Vrasëse ishte padrejtësia.

Në rreshtat e mëtejshëm, ai përshkruan jetën e Shkambit si një histori të njeriut që u përball për vite të tëra me shtetin, gjykatat dhe sistemin që duhej ta mbronte.
Sipas tij, Elvisi nuk u bë kriminel – por u shty drejt greminës nga një drejtësi që e injoroi, duke i marrë gjithçka që kishte: pronën, dinjitetin dhe qetësinë mendore.

Vrasës ishin dosjet e humbura në gjykatat ku duhet të gjendej drejtësia.
Vrasës ishin seancat e pafundme gjyqësore që s’kishin kurrë fund.
Vrasëse ishin institucionet që ju futën në një konflikt pa kthim.

Në rrëfimin e tij, shoku i gjimnazit kujton Elvisin si një djalë të qetë, të ndrojtur, por të mençur dhe të edukuar, që studioi për drejtësi në kërkim të një ideali që më vonë do t’i kthehej në mallkim.
Ai shkruan se Elvisi ishte rritur me mund dhe sakrifica nga gjyshi dhe motra, pasi familja e tij për vite kishte kërkuar të drejtën për pronat e humbura, ndërsa vetë ai ishte detyruar të jetonte me qira mbi tokën që i përkiste.

Ti linde pronar, por jetove me qira, sepse pronën tënde e gëzonin të tjerë.
Disa kishin ndërtuar shtëpitë e tyre mbi tokën tënde, madje e jepnin edhe me qira.
Ti nuk kishe mundësi të paguaje as qeranë, Elvis.

Autori kujton edhe kohën e shkollës në Shkodër:

Ti ishe ai studenti i qetë dhe i ndrojtur në bankën e ‘At Pjetër Meshkallës’, që nuk visheshe me rroba firmato, por gjithmonë me rroba të pastra. Një nga nxënësit më të mirë të gjimnazit tonë.
Ti u diplomove për drejtësi, por pikërisht ajo drejtësi të mori peng rininë.

Në fund të letrës, ai e mbyll me një mesazh që për shumëkënd është shprehje e dëshpërimit kolektiv ndaj padrejtësive që ushqejnë tragjedi të tilla:

Zoti qoftë me ty, Elvis!
E paç të gjatë jetën, o djalë!
Të duam dhe të mbështesim fort.


Një letër që ndez debate mbi drejtësinë dhe shoqërinë

Ky reagim emocional ka hapur një valë diskutimesh në rrjet: disa e shohin si një thirrje për reflektim mbi padrejtësinë sistemike, ndërsa të tjerë si një rrezik për glorifikimin e dhunës.

Megjithatë, një gjë është e qartë — letra e një shoku anonim nga Shkodra është bërë pasqyrë e plagës më të thellë të shoqërisë shqiptare: mungesës së drejtësisë.

Në një vend ku shumë qytetarë enden ende dyerve të institucioneve për vite të tëra pa përgjigje, rrëfimi për Elvis Shkambin nuk është më thjesht një histori individuale — por një sinjal alarmi për shoqërinë dhe sistemin që po humbet njerëzit e vet në heshtje.

LETRA E PLOTE
Ti nuk je vrasës, Elvis!

Vrasëse ishte padrejtësia.

Vrasës ishin dosjet e humbura në gjykatat ku duhet të gjendej drejtësia.

Vrasës ishin seancat e pafundme gjyqësore që s’kishin kurrë fund.

Vrasës ishin institucionet që ju futën në një konflikt pa kthim.

Vrasëse ishte fëmijëria jote e palumtur, kur shikoje familjen tënde tek endet dyerve të gjykatave duke kërkuar atë që ishte e tyre — drejtësinë.

Ti, Elvis, linde pronar, por jetove me qera, sepse pronën tënde e gëzonin të tjerë. Madje disa kishin ndërtuar shtëpitë e tyre mbi tokën tënde, e madje e jepnin edhe me qira. Ti s’kishe mundësi të paguaje as qeranë, Elvis.

Ty të rriti gjyshi nga nëna, bashkë me motrën tënde — me shumë mund, me shumë sakrificë. Ai të çoi në shkollat më të mira të Shkodrës.

Ti ishe ai studenti i qetë dhe i ndrojtur në bankën e “At Pjetër Meshkallës”, që nuk visheshe me rroba firmato, por gjithmonë me rroba të pastra. Një nga nxënësit më të mirë të gjimnazit tonë.

Ti u diplomove për drejtësi, por pikërisht ajo drejtësi të mori peng rininë.

Ti nuk je vrasës, Elvis.

Zoti qoftë me ty!

E paç të gjatë jetën, o djalë!

Të duam dhe të mbështesim fort.

Shkruar nga një shok i gjimnazit “At Pjetër Meshkalla”

Shkodër, 07/10/2025

Published inLajme