Kombëtarja shqiptare e futbollit po intensifikon përgatitjet për ndeshjen e shumëpritur kundër Serbisë, e cila do të luhet të shtunën e 7 qershorit. Një lajm pozitiv për trajnerin Silvinjo dhe tifozët kuqezi është rikthimi në skuadër i sulmuesit Rei Manaj.
Manaj, i cili prej disa ditësh po kalonte një periudhë me simptoma gripale dhe madje u shtrua në një spital privat për shkak të temperaturës së lartë, është rikthyer të stërvitet me pjesën tjetër të ekipit. Raportet e fundit bëjnë të ditur se gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar plotësisht dhe ai ka rifilluar stërvitjet me intensitet të plotë.
Pjesa tjetër e skuadrës gëzon formë të mirë fizike dhe atmosfera në kampin kuqezi është shumë pozitive, pavarësisht rëndësisë dhe rivalitetit historik të ndeshjes kundër Serbisë.
Gjatë seancave stërvitore të kësaj jave, trajneri Silvinjo ka vijuar praktikën e ftesave për disa lojtarë nga Superliga shqiptare. I fundit që iu bashkua grupit është mbrojtësi i Teutës, Artan Jazxhi, i cili u stërvit së bashku me Rimal Haxhiun dhe Akileu Ndrecën nga Tirana, si dhe Arli Përgjonin nga Bylisi. Mësohet se trajneri brazilian i aktivizon këta katër futbollistë në stërvitje me qëllim që t’i përshtasë ata me dinamikën e skuadrës kombëtare dhe të vlerësojë potencialin e tyre.
Me vetëm pak orë të mbetura nga fillimi i ndeshjes me Serbinë, emocionet tashmë kanë filluar të rriten. Kombëtarja shqiptare do të tentojë të arrijë fitoren përballë një kundërshtari historik dhe një rivali direkt në Grupin K të kualifikueseve për Kupën e Botës. Ndeshja do të zhvillohet nesër, të shtunën, më 7 qershor, në orën 20:45 në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.