Një sulm me thikë ka tronditur sot mesditën qytetin e Marsejës në Francë, duke lënë të plagosur disa persona. Autori i dyshuar i ngjarjes u qëllua për vdekje nga policia, e cila ndërhyri menjëherë.
Detajet e ngjarjes
Sulmi ndodhi në tarracën e një restoranti në lagjen e parë të Marsejës, në Bouches-du-Rhône. Sipas mediave lokale, pesë persona janë plagosur, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në spital në gjendje kritike.
Autori i sulmit ishte i njohur për autoritetet, por motivi i këtij veprimi mbetet i paqartë. Policia dhe zjarrfikësit mbërritën shpejt në vendngjarje, duke vendosur një perimetër sigurie. Në pamjet e shpërndara, shihet se policia qëlloi disa herë ndaj autorit për ta neutralizuar. Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.