Një stuhi e fuqishme me erë dhe reshje të dendura shiu ka përfshirë Tiranën, duke shkaktuar probleme dhe rritur nivelin e rrezikut për qytetarët. Ky mot i keq, i parashikuar edhe për mëngjesin e ditës së nesërme, ka krijuar një situatë alarmante.
Kaos në Aeroportin “Nënë Tereza”
Aeroporti “Nënë Tereza” po përballet me një trafik të jashtëzakonshëm ajror. Për shkak të afrimit të stuhisë, pilotët po përpiqen të ulen sa më shpejt të jetë e mundur. Qytetarët kanë raportuar se 7 avionë janë ulur njëri pas tjetrit, një pamje e pazakontë që tregon se moti po përkeqësohet me shpejtësi.
Një avion i kompanisë LOT Air nuk ka arritur të ulet për shkak të erës së fortë, pavarësisht manovrave të shumta të pilotit. Udhëtarët dhe qytetarët që kanë planifikuar të udhëtojnë këshillohen të informohen për çdo ndryshim të mundshëm në oraret e fluturimeve.
Apel për kujdes
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar. Qytetarët këshillohen të shmangin daljet nga shtëpia nëse nuk kanë arsye të fortë. Po ashtu, drejtuesit e mjeteve duhet të rrisin vigjilencën dhe të lëvizin me shumë kujdes, ose t’i shmangin udhëtimet gjatë stuhisë, për të parandaluar aksidentet e mundshme.