Skip to content

SPAK Jep Pretencën Për Ish-Kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë sot pretencën për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, dhe ish-drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë, Vasillaq Strakosha.

SPAK ka kërkuar dënimin me 2 vite burg për Jorgo Goron. Në rast të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, kjo dënim do të reduktohej në 1 vit e 4 muaj burg.

Sipas hetimeve të SPAK, Jorgo Goro, gjatë kohës që ushtronte detyrën si kryetar i Bashkisë Himarë, në bashkëpunim me ish-zyrtarët Jerasimo Bashi dhe Vasillaq Strakosha, ka miratuar kalimin e pronave në mënyrë të parregullt, duke dëmtuar disa banorë të zonës.

Kjo çështje ka nisur pas kallëzimit të bërë nga Fredi Beleri, i cili pretendon se në vitin 2016 Goro i ka dhuruar pasuesit të tij në detyrë, Arqile Bollano, një sipërfaqe prej 4,263 metër katrorë tokë.

Jorgo Goro ndodhet në burg që prej muajit mars të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për një tjetër çështje që lidhet me kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme toke shtet në Himarë në favor të privatëve nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara. Pasuritë e përfituara në këtë mënyrë aktualisht janë në zotërim të një shoqërie të Artan Gaçit, bashkëshortit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka fituar statusin e investitorit strategjik.

Akuzat specifike për të cilat SPAK ka kërkuar dënimin e Goros dhe Strakoshës janë “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe në më shumë se një rast, siç specifikohet në aktakuzë.

Published inShowbizz