Ashtu si në provimet e tjera të kaluara, edhe këtë vit Ministria e Arsimit duket se ka dështuar në ruajtjen e sekretit të provimeve të Maturës Shtetërore. Teza e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, të cilit maturantët po i nënshtrohen sot, është publikuar në rrjetet sociale vetëm 20 minuta pasi nxënësit kanë hyrë në sallat e provimit.
Bëhet fjalë për variantin B të tezës së provimit, dhe tashmë pritet reagimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e cila në raste të ngjashme më parë është justifikuar duke thënë se incidente të tilla nuk e justifikojnë procesin në tërësi. Megjithatë, publikimi i vazhdueshëm i tezave të provimeve të Maturës, të cilat duhej të ishin sekret, vazhdon të jetë një shqetësim serioz.
Maturantët në të gjithë vendin kanë nisur provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në orën 10:00 dhe pritet ta përfundojnë në orën 12:30. Gjatë kësaj kohe, ata janë të detyruar të qëndrojnë në klasat ku zhvillohet provimi deri në fund.
Kujtojmë se më 3 qershor, maturantët iu nënshtruan provimit të parë të Maturës Shtetërore, atij të gjuhës së huaj. Kalendari i provimeve vijon me provimin e Matematikës më 17 qershor, ndërsa provimi i fundit, ai me zgjedhje, do të zhvillohet më 24 qershor. Skɑndɑli i publikimit të tezës së sotme ngre pikëpyetje të reja mbi sigurinë e procesit të provimeve të Maturës Shtetërore në vend.