Një nga ngjarjet më tronditëse që ka shokuar opinionin publik në Shqipëri është zbardhur plotësisht përmes detajeve të reja të bëra publike nga ekspertja e Institutit të Policisë Shkencore, Ela Zaimi, në emisionin “Opinion”. Bëhet fjalë për vrasjen brutale të 17-vjeçares Aishe Vata në fshatin Xhafzotaj të Durrësit, trupi i së cilës u gjet i dekapituar.
Hetimet intensive të policisë shkencore kanë zbuluar se viktima ishte shtatzënë, duke çuar në një pistë të re hetimore për identifikimin e babait të fëmijës. Analizat e ADN-së zbuluan se babai biologjik i fetusit ishte Shaban Norja, 81 vjeç, banor i zonës. Ky zbulim shokoi opinionin publik, duke zbuluar një marrëdhënie dyvjeçare të fshehtë mes 81-vjeçarit dhe 17-vjeçares.
Megjithatë, ishte ora e dorës së Shaban Norjas ajo që e tradhtoi. Ekspertët e policisë gjetën një njollë gjaku mes hallkave të orës, dhe analiza gjenetike konfirmoi se ajo i përkiste viktimës. Përballë kësaj prove, Norja pranoi autorësinë e vrasjes. Analiza e veshjeve të tij, të cilat ishin larë, zbuloi gjurmë mikroskopike gjaku të viktimës përmes metodave të avancuara.
Motivi i vrasjes, sipas hetimeve, lidhet me faktin se Aishe Vata ishte shtatzënë dhe kishte shprehur dëshirën që marrëdhënia e tyre të bëhej publike. Norja, i frikësuar nga skandali për shkak të moshës dhe situatës, kreu krimin duke e vrarë brutalisht dhe duke i prerë kokën për të vështirësuar identifikimin.
Në një intervistë nga burgu, Shaban Norja ka pranuar krimin dhe ka shprehur keqardhje. Ai ka pohuar se kishte një lidhje int1me me Aishen për 3-4 muaj dhe se ajo ishte tre muajshe shtatzënë me fëmijën e tij. Norja ka thënë se i kishte kërkuar vajzës të abortonte, por ajo kishte refuzuar me këmbëngulje. Sipas tij, Aishe i kishte thënë se më mirë të vritej nga ai sesa të abortonte fëmijën. Norja ka deklaruar se e ka dashur shumë Aishen dhe i vjen keq për krimin e kryer.