Skip to content

‘Si bene sherr në Gjykatën e Lartë’, Klodiana Lala tregon prapaskenat e vendimit për Veliajn

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, e cila la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

E ftuar në një studio televizive, Lala bëri të ditur se, ndonëse brenda dhomës së këshillimit pati debate të forta mes anëtarëve të kolegjit penal, vendimi përfundimtar u mor me unanimitet: 3 me 0 në favor të mbajtjes së Veliajt në qeli.

Sipas Lalës, vetë Veliaj kishte paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë me qëllimin për t’u rikthyer në detyrë si kryetar bashkie, duke argumentuar se ndalimi i tij ishte një masë e padrejtë dhe arbitrare, pasi ai ishte një zyrtar i zgjedhur dhe, sipas tij, nuk përbënte rrezik për hetimin.

Në pretendimet e tij, ai theksonte se nuk kishte as mundësi të prishte prova, as të ndikonte tek dëshmitarët, dhe as të arratisej – përkundrazi, synonte të rikthehej në zyrë për të vijuar detyrën.

Por SPAK, thekson gazetarja, ka ngritur akuza të rënda ndaj Veliajt për disa vepra penale të rëndësishme: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Sipas prokurorëve, ka indicie konkrete se Veliaj jo vetëm që ka pasur rol të drejtpërdrejtë në këto veprime, por edhe ka ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rrjedhën e hetimeve.

Lala shton se prokuroria ka ngritur alarmin për rrezikun real që Veliaj, nëse lirohet, mund të ndikojë tek dëshmitarët apo të manipulojë prova, përfshirë këtu edhe indicie se ai ka udhëhequr sulme ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që po merren me çështjen.

“Në dhomën e këshillimit të Gjykatës së Lartë, pati diskutime të forta pikërisht për faktin që Veliaj vijon të jetë një figurë me ndikim dhe është ende në funksion publik. Megjithatë, kolegji penal vendosi që të mos e ndryshojë masën e sigurisë. Arsyetimi i plotë ende nuk është publikuar, por pritet të bëhet publik së shpejti”, – sqaroi Lala.

Ajo shtoi gjithashtu se për Veliaj mbeten ende dy rrugë ligjore të hapura: ai mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sfiduar vendimin, ose mund të apelojë rrëzimin e mëparshëm të kërkesës për ndryshim mase të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë më 17 qershor.

“Veliaj ka ende hapësirë për manovrim ligjor, por me këtë vendim të Gjykatës së Lartë, duket se drejtësia po shkon drejt konsolidimit të qëndrimit të saj për ta mbajtur të izoluar”, përfundoi Klodiana Lala.

Published inShowbizz