Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Greqi, ku një 37-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia greke nën akuzat e tentativës për rrëmbimin e tre fëmijëve të mitur. Ngjarja ndodhi të dielën e Pashkës, në zonën rurale të Petrochori, në perëndim të vendit.
Sipas mediave vendase, burri i dyshuar u përpoq të fuste në mënyrë të dhunshme në automjetin e tij tre fëmijë të moshës 9, 10 dhe 13 vjeç — dy prej të cilëve ishin vëllezër. Incidenti ndodhi në rrugë rurale, ku fëmijët ndodheshin pranë banesave të tyre.
Prindërit e të miturve informuan menjëherë policinë, e cila nisi një operacion për kapjen e autorit. Kur patrullat konstatuan automjetin e dyshuar dhe i bënë thirrje të ndalojë, 37-vjeçari refuzoi urdhrin dhe u largua me shpejtësi, duke nxitur një ndjekje që zgjati rreth 20 minuta.
Pas ndalimit, autoritetet zbuluan se i dyshuari ishte nën ndikimin e alkoolit, me nivel në gjak prej 0.56 dhe 0.54 gramë për litër – shumë më tepër se kufiri i lejuar. Për më tepër, ai rezultoi se drejtonte makinën pa leje drejtimi të vlefshme.
Ndaj tij rëndojnë disa akuza të rënda, përfshirë tentativë rrëmbimi të miturve, drejtim automjeti në gjendje të dehur, mungesë patente dhe rezistencë ndaj arrestimit. Hetimet janë në vijim dhe pritet që 37-vjeçari të dalë së shpejti përpara gjykatës.
Në Greqi, rasti ka shkaktuar reagime të ashpra dhe kërkesa për ndëshkim maksimal, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë në zonat me prani të lartë fëmijësh gjatë orëve të lojës apo pushimit.
