Në një spektakël ngjyrash, emocionesh dhe krenarie kombëtare, komuniteti shqiptar në Nju Jork ka zhvilluar me madhështi paradën e përvitshme në rrugët e “Mollës së Madhe”, duke e kthyer një prej zonave më ikonike të qytetit në një mozaik kuq e zi që të kujtonte Shqipërinë në ditët e saj më festive.
Me tupanë, çifteli, veshje tradicionale dhe flamuj që valëviteshin mes rrugëve të Manhattanit, mijëra shqiptarë — gra, burra, të moshuar dhe fëmijë — marshuan krenarisht përgjatë Central Park West, duke e shndërruar këtë zonë të njohur për turizmin dhe historinë amerikane në një vatër të kulturës dhe identitetit shqiptar. Për disa orë, zhurmat e zakonshme të qytetit u zëvendësuan nga ritmet folklorike, brohoritjet “Shqipëri” dhe thirrjet e mallëngjyera për vendlindjen.
Organizuar nga “Albanian Roots”, një organizatë që prej vitesh mban gjallë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, parada këtë vit ishte ndër më të mëdhatë e dekadës së fundit, duke mbledhur shqiptarë jo vetëm nga Nju Jorku, por edhe nga shtete të tjera amerikane si Michigan, Connecticut, Florida, New Jersey, e madje edhe nga Kanadaja.
Marko Kepi, themeluesi dhe drejtuesi historik i “Albanian Roots”, mbajti fjalën përshëndetëse përpara turmës, duke theksuar rëndësinë e unitetit, krenarisë kombëtare dhe forcimit të rrënjëve shqiptare në diasporë. Ai falënderoi pjesëmarrësit për angazhimin dhe dashurinë që tregojnë çdo vit për traditat shqiptare, duke shtuar se: 
