Mbi 2,000 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në provincën veriperëndimore turke të Çanakalasë, pasi një zjarr i fuqishëm që shpërtheu në mesditën e së hënës, ka shkaktuar dëme të mëdha dhe ka rrezikuar jetët e banorëve. Sipas guvernatorit të Çanakalasë, Emer Toraman, zjarri, i ndihmuar nga erërat e forta, përfshiu një zonë të gjerë, duke i kthyer në hi shtëpitë dhe automjetet.
“Si masë paraprake, 2,090 qytetarë u evakuuan nga zonat me rrezik të lartë nga deti dhe toka,” deklaroi Toraman, duke shtuar se 77 persona që thithën tym janë dërguar në spital për trajtim mjekësor. Flakët prekën fshatin turistik të Guzalgiali, ku popullsia rritet ndjeshëm gjatë verës.
Lufta me flakët dhe situata e rëndë në vend
Për të vënë nën kontroll situatën, më shumë se 760 zjarrfikës janë angazhuar në terren, të mbështetur nga dhjetë avionë, nëntë helikopterë dhe mbi 200 automjete. Pamjet e publikuara nga mediat turke tregojnë një situatë dramatike, me shtëpi dhe makina të djegura mes pemëve të shkrumbuara.
Ky zjarr vjen pas një periudhe të vështirë për Turqinë, e cila përjetoi korrikun më të nxehtë në 55 vjet dhe u përball me zjarre masive në javët e fundit, ku humbën jetën 14 persona. Autoritetet po punojnë intensivisht për të normalizuar situatën dhe për të parandaluar dëme të mëtejshme.