Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mesditën e sotme lagjen “24 Maji” në Vlorë, pasi një bombol gazi ka shpërthyer në ballkonin e një apartamenti.
Shpërthimi shkaktoi panik masiv te banorët, të cilët dëshmuan për një zhurmë shurdhuese dhe një lëkundje të fortë që bëri të dridheshin muret e ndërtesës.
Si pasojë e shpërthimit, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Fasadat e katit të fundit të godinës janë shkatërruar pjesërisht, ndërsa dëme ka pasur edhe në muret e brendshme të apartamentit. Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar.
Forcat e zjarrfikëses dhe policia mbërritën menjëherë në vendngjarje, duke marrë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e banorëve dhe për të hetuar shkaqet e sakta të incidentit.
Ekspertët po punojnë për të përcaktuar nëse shpërthimi erdhi nga një defekt i bombolës apo nga ndonjë shkelje e rregullave të sigurisë.