Një shpërthim i fuqishëm me lëndë plasëse ka ndodhur rreth mesnatës në lagjen numër 14 të Durrësit, duke shkaktuar panik te banorët e zonës. Burime të policisë dhe mediave lokale bëjnë me dije se objektiv i sulmit ishte një mobilieri.
Nga shpërthimi nuk raportohet për dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Sipas pronarit të biznesit, kjo është hera e tretë që ndodh një sulm i tillë ndaj mobilierisë së tij. Ai ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd, duke shtuar se autori dyshohet të ketë qenë i maskuar dhe me kapuç.
Menjëherë pas shpërthimit, forca të shumta policie dhe ekipet xheniere kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Sipas informacioneve, janë shoqëruar tre persona që dyshohet se kanë dijeni për rastin. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Pista kryesore e hetimit është konflikti për çështje pronësie ose çështje të tjera të biznesit, megjithëse pronari e mohon një gjë të tillë.