Një aksident tragjik i ka marrë jetën 50-vjeçarit shqiptar, Artur Çela, në Itali, vetëm pak metra larg shtëpisë së tij ku e prisnin për darkë gruaja dhe dy fëmijët.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Via Claudia, teksa Çela po kthehej me motoçikletë pas një ndalese për të blerë peshk. Në një moment, ai u përplas me një automjet tip Fiat 500 që po dilte nga një rrugë dytësore. Përplasja ishte fatale: trupi i tij u përplas me barrierat metalike të rrugës dhe, pavarësisht ndihmës së menjëhershme të emergjencës, ai humbi jetën në vendngjarje.
Artur Çela ishte një emër i njohur në komunitetin shqiptar në Itali, i njohur për mirësjelljen dhe përkushtimin në punë. Ai punonte si shofer për një kompani ndërtimi në Concordia dhe jetonte prej vitesh në Itali, ku kishte ndërtuar një jetë të qëndrueshme me bashkëshorten e tij, Suzanën, me të cilën ishte martuar që prej vitit 1994.
Lajmi i hidhur ka tronditur jo vetëm familjen dhe të afërmit, por edhe komunitetin më të gjerë. Ngushëllimet kanë vërshuar nga miq, kolegë e figura lokale, përfshirë edhe kryebashkiakun e Portogruaros.
Ndërkohë, autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësit. Trupi i të ndjerit është dërguar në varrezat e qytetit për procedurat e nevojshme ligjore dhe ceremoninë mortore.
