Një studim i ri nga shkencëtarët e NASA-s dhe Universitetit Toho të Japonisë ka nxjerrë në pah një zbulim shqetësues: atmosfera e Tokës, ashtu siç e njohim, do të kolapsojë brenda 10,000 vjetësh, duke u bërë e pabanueshme për shumicën e jetës.
Shkencëtarët u përqendruan te marrëdhënia mes niveleve të oksigjenit në planet dhe ngrohjes graduale të Diellit. Siç dihet, Dielli pritet të rritet në shkëlqim dhe të ngrohë klimën e Tokës. Kjo ngrohje do të shkaktojë shpërbërjen e dioksidit të karbonit (CO2) në atmosferë, duke vështirësuar fotosintezën, një proces thelbësor për mbijetesën e bimëve.
Pasojat katastrofike për jetën në Tokë
Për shkak se bimët janë burimi kryesor i oksigjenit të Tokës, zhdukja e tyre do të shkaktonte një deoksigjenizim masiv. Nivelet e oksigjenit parashikohen të bien miliona herë më pak se sa janë sot, ndërsa në të njëjtën kohë, gazi serrë, metani, do të grumbullohet në ajër.
Mungesa e oksigjenit do të shkaktojë edhe humbjen e shtresës mbrojtëse të ozonit, duke lejuar që rrezatimi ultravjollcë të arrijë sipërfaqen e Tokës në nivele shumë të larta. Kjo do të krijojë një mjedis armiqësor, ku njerëzit dhe shumica e specieve të tjera nuk do të mund të mbijetojnë. Sipas udhëheqësit të kërkimit, Kazumi Ozaki, “Ky deoksigjenizim i madh do të rezultojë në përqendrime të larta të metanit, nivele të ulëta të CO2 dhe mungesë të një shtrese ozoni në atmosferën e Tokës”.
A është kjo e pashmangshme?
E vërteta është se Toka e ka përjetuar një atmosferë të tillë miliarda vjet më parë, para “Ngjarjes së Madhe të Oksidimit”. Për fat të mirë, ky skenar nuk do të ndodhë gjatë jetës tonë, por është thelbësor për t’u kuptuar. Gjetjet e këtij studimi mund të ofrojnë informacion të vlefshëm për astronomët që kërkojnë jetë në eksoplanetë me atmosfera të pasura me oksigjen, duke treguar se edhe prezenca e oksigjenit nuk garanton stabilitet të përhershëm.