Tensione të forta kanë shoqëruar procesin e rinumërimit të votave të Qarkut të Tiranës në pallatin e sportit “Farie Hoti”, ku deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, është përplasur ashpër me kryetarin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), Ilirjan Rusmali.
Shkak i debatit të ashpër është bërë një votë preferenciale për deputetin Dogjani, e cila është shpallur e pavlefshme nga KAS për shkak se shenja “X” e votuesit kishte dalë paksa jashtë hapësirës së caktuar në fletën e votimit. Deputeti demokrat ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij, duke pretenduar se ky rast nuk është i izoluar dhe se dhjetëra vota të tij janë anuluar me të njëjtin justifikim. Ai ka ngritur gjithashtu akuza për standarde të dyfishta, duke pretenduar se raste të ngjashme të votave për kandidatët e Partisë Socialiste janë shpallur të vlefshme.
Situata ka precipituar kur kryetari i KAS-it, Ilirjan Rusmali, dyshohet se ka kërcënuar deputetin Dogjani me “thërritje të Policisë”, një veprim ky që e ka acaruar edhe më tej debatin mes tyre.
Në momentet e tensionuara, Asllan Dogjani i është drejtuar kryetarit Rusmali: “Hajde shihe sa e qartë është këtu.”, duke treguar votën e kontestuar. Përgjigja e Rusmalit ka qenë: “Do thërras policinë”, e cila ka shkaktuar reagimin e ashpër të Dogjanit: “Nuk më rr**et për polici fare. Hajde shihe, është e paqartë, vjedh vota dhe thërret polici, vidhni vota, hajdut! Nuk është hera e parë që vidhni. Mos u tallni me votat e qytetarëve, se keni ditë e natë që rrimë këtu, me çfarë të drejte heq vota ti? Nuk është hera e parë. Turp të keni! Do to marr dhe do ti çoj në SPAK, ku është shprehur vullneti? Për të tjerët shprehet, për mua ku? Hajeni të hapim votë. Talleni. Ja vota, urdhëroni se si tallen këta. Ky e di sa vota…3 vota, 4 vota në kuti i marrin. Heqin votat kur shënimi është përbri kandidatit. Pse e bëjnë këtë? E bëjnë sepse kanë marrë orientim sikur ka qenë njësoj se u kemi prishur terezinë. Kanë dashur të shkonin në pushime. Njerëzit vuajnë, këta duan të shkojnë me pushime. Kjo nuk është vota e parë, shihni sa marrin.”
Deputeti Dogjani ka shprehur hapur akuzat e tij për manipulim të procesit të numërimit dhe ka paralajmëruar se do të ndjekë rrugë ligjore duke adresuar shqetësimet e tij në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar që të hetohet nëse ka pasur shkelje të ligjit dhe manipulim të vullnetit të votuesve. Tensionet në ambientin e rinumërimit kanë mbetur të larta pas kësaj përplasjeje, duke reflektuar polarizimin e thellë politik në vend.