Një tragjedi ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në qytetin bregdetar Terracina të Italisë, ku është shembur çatia e restorantit të njohur “Essenza”, duke shkaktuar vdekjen e një punonjëseje dhe plagosjen e rreth dhjetë personave të tjerë. Lajmi është raportuar nga La Repubblica.
Viktima është Mara Severin, 31 vjeçe, e cila punonte si someliere në restorant. Ajo u nxorr e gjallë nga rrënojat, por fatkeqësisht ndërroi jetë pasi u transportua në spital. Ndërsa dhjetë persona të tjerë u plagosën, tre prej të cilëve u shtruan në spital me një prognozë të rezervuar, por që nuk janë në rrezik për jetën.
Në kohën e shembjes, restoranti i frekuentuar nga shefi i kuzhinës ishte i mbushur me klientë, përfshirë edhe turistë të huaj. Pas ngjarjes, zona përreth restorantit u mbyll menjëherë për të lehtësuar operacionet e shpëtimit.
Dëshmitarë të shumtë kanë raportuar për dy shembje të ndara të çatisë. Një nga hipotezat kryesore për shkakun e tragjedisë është moti i keq, veçanërisht erërat e forta, edhe pse në Terracina nuk ka pasur reshje shiu gjatë ditës. Sidoqoftë, e gjithë provinca e Latinës, ku ndodhet Terracina, ishte nën alarm të verdhë për kushtet e këqija të motit.
Mara Severin kishte 10 vjet që punonte në restorantin “Essenza”, siç kishte ndarë vetë në një postim në Instagram tetorin e kaluar, duke shprehur dashurinë për punën e saj në këtë vend të njohur.