Në Tiranë po përgatitet një furtunë politike që mund të tronditë themelet e drejtësisë së re. Kryeministri Edi Rama, i zhgënjyer me prokurorët dhe gjyqtarët që kanë kaluar procesin e vetingut që lindi pas implementimit të Reformës në Drejtësi, ka vendosur të shkojë në ofensivë.
Ai ka paralajmëruar se do të fusë “duart në reformën në drejtësi” duke kërcënuar hapur Prokurorinë e Posaçme (SPAK-un) dhe çdo prokuror e gjyqtarë që sipas tij kanë shkelur ligjin apo kanë “lajthitur” , për shkak se kanë marrë vendime që nuk i pëlqejnë atij. Në anën tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha është armiku historik i reformës, që prej vitesh i sulmon pa kompromis prokurorët dhe gjyqtarët specialë.
Prapaskenat
Burime konfidenciale pohojnë se SHBA, si mbrojtes i kesaj reforme dhe SPAK ka zbuluar dhe informuar prane strukturave perkatese se një marrëveshje e fshehtë mes Ramës dhe Berishës pritet të hyjë në lojë në mesin e shtatorit. Plani parashikon që, përmes ndryshimeve parlamentare dhe riformatimit të komisioneve, SPAK-u të vihet nën kontroll politik.
Partia Socialiste ka përgatitur një plan për të shtuar numrin e komisioneve parlamentare nga 8 në 11. Në pamje të parë kjo duket si një lëvizje teknike për negociatat me Bashkimin Evropian, por në të vërtetë është një skemë e mirëmenduar për të kontrolluar drejtësinë. Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese do të ndahet në tre komisione të reja: për Energjinë, për Infrastrukturën dhe Mjedisin, dhe për Bujqësinë.
Por surpriza më e madhe është ngritja e komisionit të 11-të, që do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj. Ky komision, i maskuar si nismë për “thellimin e reformave”, shihet si një armë politike për të dobësuar SPAK-un. Fatmir Xhafaj, dikur arkitekti i Reformës në Drejtësi, sot akuzohet se po bëhet instrumenti i riformatimit të saj.
Kritikët thonë se komisioni i tij nuk është më një forum ligjvënës, por një mjet për të rikthyer kontrollin e pushtetit mbi drejtësinë. Vendimi për ta bërë atë të përhershëm u miratua me 74 vota në Kuvend, pavarësisht bojkotit të institucioneve të drejtësisë, përfshirë SPAK-un dhe Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim të thellë për ndërhyrjet politike. Por duke qenë se SPAK, që prej kohësh shihet si pengesa më e madhe për korrupsionin e lartë, rrezikon të neutralizohet.
Lufta e Ramës dhe Berishës kundër drejtësisë po hyn në fazën më të rrezikshme. Marrëveshja e shtatorit mund të shënojë fillimin e fundit të SPAK-ut si institucion i pavarur. Shqipëria ndodhet përballë një krize të re politike, ku drejtësia vihet në qendër të betejës për pushtet. Nëse ky plan realizohet, të gjitha dosjet e nxehta që po trondisin elitën politike rrezikojnë të groposen.
Nga korrupsioni në nivelet më të larta deri tek aferat financiare me miliarda euro, gjithçka do të fshihej pas perdeve të një “reforme të re”. Për herë të parë pas shumë vitesh, Rama dhe Berisha shihen si dy krahë të së njëjtës medalje, pra si armiqtë e drejtësisë së re që janë në panik nga burgjet. Dhe kjo medalje është një goditje frontale ndaj drejtësisë që shqiptarët kanë pritur me dekada. Thënë troç dhe teksa shohim këtë panoramë, Shqipëria rrezikon të humbasë një nga reformat më të rëndësishme të pas 2016-s dhe të futet në një spirale të rrezikshme për demokracinë.
Kronologjia e përplasjes me drejtësinë, Rama dhe Berisha në një front sulmi ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve
Ndërkohë po sjellim në vëmendje të publikut edhe disa nga deklaratat e bërë gjatë muajve të fundit nga dy liderët më të mëdhenj të politikës shqiptare, Edi Rama dhe Sali Berisha, të cilët edhe pse kundërshtarë të betuar, janë gjetur të bashkuar në një pikë: sulmet e tyre të paprecedenta ndaj SPAK-ut, prokurorëve, gjyqtarëve dhe vetë reformës në drejtësi:
- Shpërthen Rama! Kryeministri nisi i pari goditjet, duke deklaruar se “SPAK po bën politikë, jo drejtësi”.
- Akuza për Prokurorët! Rama i quajti ata “të papjekur”, duke lënë të kuptohet se janë më shumë të etur për pushtet se për ligj.
- Drejtësia nën zjarr! Ai madje ironizoi edhe reformën në drejtësi – reformën që vetë e kishte promovuar – duke thënë se është kthyer në “burokraci të re”.
- Berisha kundër SPAK-ut! Pak ditë më pas, ish-kryeministri Sali Berisha shpërtheu duke e quajtur SPAK-un “vegël të qeverisë” dhe prokurorët “mercenarë të Rilindjes”.
- “Varrosët demokracinë!” Sipas Berishës, reforma në drejtësi nuk solli drejtësi, por “monizëm dhe kapje totale të shtetit”.
- Sulm ndaj gjyqtarëve! Ai nuk kurseu as gjykatat, duke i cilësuar gjyqtarët “kukulla të komanduar nga ambasadat dhe mafia e pushtetit”.
- Kundërshtarë, por në një front! Rama akuzon se SPAK po bën “show mediatik” me dosjet e zyrtarëve pranë tij, ndërsa Berisha flet për “gjueti shtrigash” ndaj opozitës.
- Presion i paprecedentë! Gjuha e ashpër e të dyve ka rritur presionin publik ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve në nivele alarmante.
- Aleanca e padukshme! Në fund, kronologjia e ditëve të fundit tregon qartë: Rama dhe Berisha, ndarë në gjithçka tjetër, janë bërë bashkë në një front – sulmin e përbashkët ndaj SPAK-ut dhe reformës në drejtësi.