Një kontroll i befasishëm i zhvilluar sot në burgun e Durrësit ka rezultuar me sekuestrimin e 10 aparateve celulare, që dyshohet se përdoreshin në mënyrë të paligjshme nga të dënuarit. Operacioni është kryer me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si pjesë e një aksioni më të gjerë për të frenuar komunikimin e paautorizuar dhe tentativat për ndikim jashtë mureve të burgut.
Sipas burimeve zyrtare, 2 aparate u gjetën brenda qelive të të dënuarve, ndërsa 8 të tjerë u kapën në ambientet e jashtme, pikërisht në momentin që po tentohej futja e tyre në regjimin e brendshëm të sigurisë së lartë. Ky zhvillim ngre shqetësime serioze mbi rrjetin e mundshëm të ndihmës brenda sistemit të burgjeve dhe përpjekjet për të ruajtur linjat e komunikimit me jashtë.
Burgu i Durrësit, prej kohësh i konsideruar një vatër e aktiviteteve të dyshimta dhe privilegjeve për të dënuarit me profil të lartë, strehon emra të njohur të politikës dhe krimit ekonomik. Midis tyre ndodhen Ilir Beqaj, Alqi Bllako, Jurgis Çyrbja dhe vetë ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Pikërisht ky i fundit ndodhet në qendër të vëmendjes pas publikimit të përgjimeve nga SPAK, të cilat kanë treguar se ai ka orientuar vëllain e tij për mënyrën e menaxhimit të rastit të tij në media. Dyshohet se ky komunikim është kryer përmes një prej celularëve të futur kontrabandë në burg.
Sekuestrimi i këtyre pajisjeve pritet të komplikojë më tej pozitën e Veliajt dhe bashkëvuajtësve të tij të klasës politike. Aksioni i fundit sinjalizon vendosmërinë e autoriteteve për të çmontuar rrjetet e fshehta që vazhdojnë të funksionojnë edhe brenda institucioneve të sigurisë maksimale.
Në këtë situatë, pritet që SPAK të thellojë hetimet dhe të zbulojë jo vetëm mënyrën sesi pajisjet depërtuan në burg, por edhe përmbajtjen e komunikimeve që janë bërë nëpërmjet tyre – një arsenal provash që mund të tronditë edhe më shumë themelet e klasës politike në pranga.