Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në Vlorë, ku një 17-vjeçare është paraqitur në spitalin rajonal me një plagë të shkaktuar nga armë zjarri në kokë.
Fillimisht u raportua se në spital kishte mbërritur një 20-vjeçare e shoqëruar nga familjarët. Megjithatë, pak më vonë, Policia e Vlorës ka dhënë një njoftim zyrtar duke sqaruar detaje të reja rreth ngjarjes:
“Sot, rreth orës 11:40, është paraqitur në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore, një shtetase e mitur 17 vjeçe, e cila dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri pistoletë, në banesën e saj, në lagjen “Kushtrimi”.
Grupi hetimor i policisë ndodhet aktualisht duke punuar për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike. Ende nuk dihen motivet që e kanë çuar 17-vjeçaren drejt këtij akti, dhe hetimet pritet të zbardhin detaje të mëtejshme në orët në vijim. Plaga e marrë në kokë nga arma e zjarrit e ka rënduar ndjeshëm gjendjen shëndetësore të të miturës.