Kutitë e zeza të avionit të pasagjerëve që u rrëzua në Korenë e Jugut muajin e kaluar, duke i marrë jetën 179 personave, ndaluan çdo regjistrim 4 minuta përpara se ai të bënte një ulje emergjente e të shpërthente në pistë.
Fatkeqësitë i mbijetuan vetëm dy persona. Ministria koreano-jugore e transportit njoftoi megjithate se kutitë e zeza kanë reshtuar së funksionuari rreth katër minuta përpara rrëzimit. Në deklaratën e saj theksohet se është e paqartë përse pajisjet ndaluan papritur regjistrimin, e thuhet se do të vazhdojë puna për të përcaktuar shkakun e këtij fenomeni.
Ka ende shumë të panjohura se çfarë e shkaktoi aksidentin e rëndë. Hetuesit fillimisht u përqëndruan tek mundësia e përplasjes me një tufë zogjsh si arsyeja përse piloti humbi kontrollin e avionit. Por ndërkohë mbetet ende e paqartë se përse nuk aktivizuan rrotat e uljes së avionit. Piloti kishte dërguar një sinal alarmi pak përpara se avioni të dilte nga pista.
