Një tjetër sulm ajror izraelit ka shkaktuar tragjedi në Gazën qendrore, duke lënë të vrarë dhjetë civilë palestinezë, përfshirë gjashtë fëmijë. Viktimat ndodheshin në radhë për të marrë ujë, pranë një cisterne në kampin e refugjatëve al-Nuseirat, kur një dron qëlloi mbi turmën me raketë, sipas dëshmitarëve në terren.
Trupat e pajetë u transportuan në Spitalin al-Awda në Nuseirat, ku u trajtuan edhe 16 persona të plagosur, mes tyre shtatë fëmijë. Banorët lokalë u nxituan për të ndihmuar, duke dërguar të plagosurit me automjete private dhe karroca dore, raportoi BBC.
Ndërkohë, një zëdhënës i Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës konfirmoi se të paktën edhe 19 palestinezë janë vrarë gjatë ditës së sotme në tre sulme të veçanta mbi ndërtesa banimi në Gazën qendrore dhe në Qytetin e Gazës.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) raportoi se vetëm të shtunën, spitali i tij fushor në Rafah ka pranuar 132 pacientë të plagosur nga armët, prej të cilëve 31 kanë ndërruar jetë.
Këto ngjarje vijnë një ditë pasi Zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së njoftoi se janë dokumentuar të paktën 789 viktima në raste të lidhura me shpërndarjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
Ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të bëjë thirrje për armëpushim dhe qasje të sigurt për ndihmat humanitare, numri i viktimave civile rritet çdo ditë, duke shndërruar Gazën në një zonë gjithnjë e më të pashpresë për mbijetesë.

